Michael Bolton ka folur hapur për betejën e tij me kancerin në tru.
Këngëtari 72-vjeçar i tregoi revistës People për diagnozën me glioblastomë, një formë agresive e kancerit në tru. Ai u diagnostikua në dhjetor të vitit 2023, pasi iu nënshtrua një operacioni urgjent për të hequr një tumor në tru, dhe iu desh një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në janar të vitit 2024.
Në një intervistë të publikuar më 30 prill, Bolton tha për People se e kishte përfunduar trajtimin me radioterapi dhe kimioterapi në tetor, dhe se skanimi më i fundit, në fillim të prillit, rezultoi i pastër. Ai tregoi se qëllimisht nuk kishte kërkuar një parashikim mjekësor, ndërsa People nënvizon se glioblastoma ka një shkallë rikthimi prej rreth 90%. Trajtimet, sipas People, kanë ndikuar në kujtesën afatshkurtër, të folurin dhe lëvizshmërinë e tij.
“Arrin të kapesh pas burimeve dhe vendosmërisë në një mënyrë që nuk e kishe imagjinuar ndonjëherë,” tha Bolton. “Dorëzimi nuk është opsion. Nëse heq dorë, rrezikon të shkatërrohesh shumë shpejt. Besoj se kështu zbulon se nga çfarë je vërtet i përbërë.”
Gjatë betejës me sëmundjen, Bolton thotë se ka fituar një ndjenjë të thellë vlerësimi për jetën. “Mendoj gjithnjë nëse po e shfrytëzoj kohën time sa më mirë që mundem,” shton ai. “Dua të vazhdoj përpara. Ndihem sikur kam ende shumë për të bërë. Kam menduar edhe një titull kënge: ‘Nuk do të dorëzohem pa luftë’.”
Burimi i fotos:https://www.instagram.com/michaelbolton/