
Shtëpia e famshme e modës Dior ka emëruar zyrtarisht dizajnerin nga Irlanda e Veriut, Jonathan Anderson, si drejtorin e vetëm kreativ të saj, duke i dhënë atij kontroll të plotë mbi koleksionet për femra, meshkuj dhe Couture – një hap i paprecedentë që nga themeluesi Christian Dior.
Anderson, 40 vjeç, i njohur për suksesin e tij të jashtëzakonshëm te marka spanjolle Loewe, do të jetë stilisti i parë në historinë moderne të Dior-it që mbulon të gjitha linjat krijuese. Emërimi i tij vjen pas spekulimeve disa mujore për të ardhmen e drejtimit artistik të markës, pas largimit të Maria Grazia Chiuri.
Delphine Arnault, kryetare dhe CEO e Dior, e quajti Anderson “dizajnerin më të talentuar të brezit të tij”, ndërsa Dior, në një deklaratë në Instagram, theksoi se për herë të parë që nga Monsieur Dior, një drejtor kreativ do të udhëheqë të gjitha koleksionet e modës së lartë.
Anderson do të prezantojë koleksionin e tij të parë për meshkuj këtë muaj, ndërsa ai për femra pritet më vonë gjatë vitit. Në një shenjë të rëndësisë së këtij ndryshimi, Dior ka vendosur të anashkalojë prezantimin tradicional të modës së lartë në korrik – për herë të parë në historinë 78-vjeçare të shtëpisë.
Ky emërim shënon një kapitull të ri për Dior, duke reflektuar besimin e LVMH në vizionin krijues të Anderson dhe dëshirën për të përforcuar më tej pozicionin e markës në industrinë globale të modës.
Linku: https://www.theguardian.com/fashion/2025/jun/0
Burimi i fotos: https://www.instagram.com/jonathan