
Monako futet në listën e zezë të BE-së për pastrimin e parave
Bashkimi Evropian ka përditësuar listën e vendeve me rrezik të lartë për pastrim parash dhe financim të terrorizmit, duke shtuar Monakon, Libanin dhe Venezuelën, ndërsa heq Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) pas reformave të raportuara nga ky shtet.
Komisioni Evropian deklaroi se vendimi për EBA-në bazohet në heqjen e saj nga “lista gri” e Task Forcës Financiare Ndërkombëtare (FATF) në fillim të vitit 2024, pas një vlerësimi që konfirmoi përmbushjen e kërkesave kundër pastrimit të parave.
Megjithatë, eurodeputetë të caktuar kanë shprehur shqetësime dhe paralajmërojnë se mund të kërkojnë sqarime të mëtejshme mbi vendimet e listimit dhe heqjes nga lista. Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare mund të kundërshtojnë zyrtarisht vendimin përpara se të hyjë në fuqi.
Në të njëjtën kohë, përveç Monakos, në listën e zezë janë shtuar edhe Algjeria, Angola, Bregu i Fildishtë, Kenia, Laosi, Namibia, Nepali dhe Venezuelë, duke e çuar numrin total të vendeve të listuara në 27.
Ndërkohë, raporti i njohur ndërkombëtarisht “Dubai Unlocked” i publikuar në 2023 kishte ekspozuar mënyrën se si individë të sanksionuar dhe figura të botës së krimit kishin përdorur pasuritë e paluajtshme dhe sistemin financiar të Dubait për të fshehur pasuritë – çështje që mbeten shqetësuese për disa deputetë të BE-së, pavarësisht vendimit për ta hequr EBA-në nga lista.
Monako, nga ana e saj, ka pranuar vendimin e Komisionit dhe ka deklaruar se do të angazhohet për të forcuar masat kundër pastrimit të parave.
Linku: https://www.occrp.org/en/news/eu-cuts-uae-from-money-watchlist-flags-monaco
Burimi i fotos: pexele.com