Facebook ka njoftuar një ndryshim të madh në mënyrën e shpërndarjes së videove në platformën e saj. Së shpejti, të gjitha videot – pavarësisht gjatësisë apo orientimit të tyre – do të ndahen automatikisht si Reels.
Kompania konfirmon se nuk do të ketë më dallim mes postimeve të zakonshme me video dhe Reels, ndërsa edhe seksioni “Video” në aplikacion do të riemërtohet në “Reels”. Kjo do të thjeshtojë procesin e postimit dhe krijimit të përmbajtjes video, duke sjellë një rrjedhë unike dhe më të pasur me mjete krijuese për përdoruesit.
Ndryshimi pritet të hyjë në fuqi muajt në vijim dhe synon të unifikojë eksperiencën e përdoruesve në platformë, një lëvizje e ngjashme me atë që Meta bëri në Instagram në vitin 2022, kur çdo video nën 15 minuta kthehej automatikisht në reel.
Facebook sqaron se do t’i japë përdoruesve mundësi për të zgjedhur audiencën e tyre – nëse duan që reels të shihen nga të gjithë, vetëm nga miqtë, apo nga një grup i caktuar. Po ashtu, Reels nuk do të kenë më kufizime në kohëzgjatje apo format.
Megjithatë, kjo lëvizje mund të shkaktojë pakënaqësi te disa përdorues, veçanërisht ata që publikojnë video horizontale apo përmbajtje më të gjatë që nuk përshtatet mirë në formatin vertikal të Reels. Po ashtu, kombinimi i videove të gjata me ato të shkurtra në një rrjedhë të vetme mund të krijojë konfuzion për shikuesit.
Facebook njofton se pavarësisht këtyre ndryshimeve, platforma do të vazhdojë të mbështesë të gjitha format e përmbajtjes video – të shkurtra, të gjata apo Live – duke u përpjekur të ruajë një hapësirë gjithëpërfshirëse për krijuesit. Ndryshimet do të zbatohen gradualisht në mbarë botën.
Linku: https://techcrunch.com/2025/06/17/facebook-announces-that-all-videos-on-its-platform-will-soon-be-shared-as-reels/
Burimi i fotos: pexele.com