
YouTube sjell ‘stickers’ të reja për Shorts
YouTube ka njoftuar një përditësim të rëndësishëm për përvojën e blerjeve në Shorts – videot e shkurtra që konkurrojnë me TikTok dhe Reels të Instagramit. Kompania po prezanton ngjitëset (stickers) e reja të produkteve që mund të blihen, me qëllim që t’u tregojë përdoruesve produktet që shfaqen në video dhe të mund t’i blejnë menjëherë.
Sipas YouTube, gjatë një testimi muajin e kaluar, Shorts që kishin këto ngjitëse të reja shënuan mbi 40% më shumë klikime për produkte, krahasuar me videot që kishin vetëm butonin e zakonshëm të blerjes.
Më parë, produktet e etiketuar shfaqeshin si një banderolë në cepin e poshtëm të majtë të ekranit. Tani, krijuesit e përmbajtjes mund të vendosin automatikisht një ngjitëse të produktit të parë të etiketuar, të cilën mund ta rregullojnë për nga madhësia dhe pozicioni në video.
Në rast se një Short përmban disa produkte, shikuesit mund të klikojnë shigjetën poshtë ngjitëses për të parë të gjithë listën. Klikimi mbi një produkt do t’i çojë përdoruesit direkt në faqen e shitësit për ta blerë.
Ngjitëset e reja do të fillojnë të shpërndahen gjatë javës në vijim dhe do të jenë së pari të disponueshme në Korenë e Jugut, përpara se të shtrihen globalisht.
CEO i YouTube, Neal Mohan, bëri të ditur në Festivalin e Cannes Lions 2025 se Shorts tani kanë mesatarisht mbi 200 miliardë shikime në ditë. Ai gjithashtu shtoi se Veo 3, gjeneratori i videove dhe audios nga Google, do të integrohet në Shorts këtë verë.
Linku: https://techcrunch.com/2025/06/18/youtube-launches-new-shopping-product-stickers-for-shorts/
Burimi i fotos: pexele.com