Një tjetër situatë e tensionuar është regjistruar në “Ferma VIP”, ku përdorimi i gjuhës ofenduese dhe denigruese ka sjellë pasoja të menjëhershme për një prej konkurrentëve.
Përmes një zarfi të lexuar nga moderatorja Arbana Osmani, Agai ka marrë një vendim të prerë ndaj Ilirit dhe Akilit, për shkak të sjelljes së tyre që bie ndesh me rregullat dhe etikën e formatit. Megjithatë, pas largimit të Akilit nga gara me votë të publikut, dënimi mbeti në fuqi vetëm për Ilirin.
Sipas vendimit, Iliri do të izolohet në zonën e “Fakirit”, ku do të qëndrojë i veçuar nga pjesa tjetër e fermës. Ai nuk do të ketë të drejtë të frekuentojë ambientet e tjera dhe do të flejë në këtë hapësirë, ndërsa i janë ngarkuar edhe detyra të përditshme në stallë, të cilat duhet t’i kryejë çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje.
Në mesazhin e tij, Agai theksoi se është konstatuar përdorim i gjuhës së papranueshme, ofenduese, denigruese dhe diskriminuese, jo vetëm mes dy banorëve, por edhe ndaj të tjerëve në fermë. Ai nënvizoi se konkurrentët kanë qenë të informuar më parë për rregullat dhe standardet e komunikimit që kërkon formati.
Ky vendim u shoqërua edhe me një paralajmërim të fortë për të gjithë fermerët e tjerë. Agai e bëri të qartë se ky është paralajmërimi i parë dhe i fundit dhe se çdo shkelje e mëtejshme e rregullores do të sjellë masa edhe më të rënda.
“Ky do të jetë paralajmërimi i parë dhe i fundit për këdo që zgjedh të vazhdojë garën pa respektuar rregullat dhe kodin etik”, thuhej ndër të tjera në mesazh.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen tek rëndësia e respektimit të etikës në një format televiziv që ndiqet nga një publik i gjerë, përfshirë edhe moshat e reja
Burimi;https://www.instagram.com/fermavip.al/?hl=en
Foto; https://www.instagram.com/fermavip.al/?hl=en