Pas një periudhe të gjatë pa një album të ri, Alban Skënderaj ka njoftuar rikthimin e tij në muzikë me një projekt që premton të jetë ndër më personalët e karrierës së tij. Artisti ka prezantuar albumin e ri me titull “Rrënjët”, i cili pritet të publikohet më 2 maj.
Që në prezantimin e parë, Skënderaj ka lënë të kuptohet se ky projekt shkon përtej muzikës, duke u ndërtuar mbi një ide të fortë emocionale: kujtimet, ndjesitë dhe përjetimet që mbeten brenda nesh për vite me radhë dhe që në një moment rikthehen në sipërfaqe.
Në një video të publikuar në fillim të prillit, ai rrëfen lidhjen e tij me muzikën dhe identitetin, duke theksuar se edhe pse është rritur larg Shqipërisë, motivet shqiptare kanë qenë gjithmonë pjesë e tij.
“Unë jam larguar në një moshë shumë të re dhe nuk pata mundësinë të njihem thellësisht me muzikën tonë, por gjurmët e motiveve tona lanë shenja edhe tek unë… në fund të fundit, të gjithë kthehemi diku,” shprehet ai, duke shtuar se me këtë album “është kthyer në shtëpi”.
Albumi “Rrënjët” do të përmbajë 8 këngë dhe 8 videoklipe, të konceptuara si një e tërë artistike. Vetë këngëtari i përshkruan si “8 ngjyra të ndryshme që bashkë formojnë një ylber të vetëm”, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për një listë të zakonshme këngësh, por për një përvojë të plotë muzikore.
Edhe kopertina e albumit mbart një simbolikë të fortë, ku Albani i sotëm përballet me veten e tij fëmijë, një imazh që pasqyron thelbin e projektit dhe rikthimin tek rrënjët.
Skënderaj e cilëson këtë album si një nga punët më autentike të tij, duke ftuar publikun të ketë besim në këtë rrugëtim artistik. Ai thekson se projekti është krijuar gjatë një periudhe intensive në jetën e tij, gjë që i ka dhënë një ndjesi më të sinqertë dhe të papërpunuar.
“Energjia dhe dashuria që kam marrë gjatë tour-it ‘MOTIV’ më kanë frymëzuar të jem sërish si dikur, totalisht vetvetja,” shprehet artisti.
“Rrënjët” pritet të vijë jo vetëm si një album për t’u dëgjuar, por si një përvojë që fton dëgjuesin të reflektojë, të ndalojë dhe të rikthehet tek vetja, duke rigjetur ndjesi që mund të kenë mbetur diku pas.
Burimi:https://www.instagram.com/albanskenderaj/?hl=en
Foto:https://www.instagram.com/albanskenderaj/?hl=en