Lifestyle

Surprizë emocionale për ditëlindjen e Indrit në “Ferma VIP”, nëna e tij flet për Vanesën dhe sfidat pas divorcit

Një moment i veçantë dhe plot emocione është shënuar mbrëmjen e djeshme në “Ferma VIP”, ku Indri u surprizua nga nëna e tij me rastin e ditëlindjes. Ajo e priti me një tortë, ndërsa mes lotësh dhe përqafimesh i uroi edhe shumë vite të lumtura, duke e këshilluar të shijojë eksperiencën dhe të gjejë sa më shumë arsye për të buzëqeshur.

Atmosfera u bë edhe më e ngrohtë me praninë e Vanesës, vajzës me të cilën Indri ka krijuar një lidhje romantike brenda fermës, duke e kthyer këtë surprizë në një moment edhe më të ndjerë.

E ftuar në “Ferma Club”, nëna e Indrit ndau mendimet dhe emocionet e saj për rrugëtimin e të birit, duke u ndalur veçanërisht te raporti i tij me Vanesën. Ajo e vlerësoi maksimalisht këtë lidhje, duke e cilësuar Vanesën si një vajzë të fortë dhe të sinqertë.

“Është vajzë e çiltër dhe e fortë. Ka marrë përsipër edhe atë që i ka munguar Indrit në momente të caktuara – forcën. Unë besoj shumë te kjo dashuri sepse e njoh djalin tim. Tani njoh edhe Vanesën që është e fortë”, u shpreh ajo.

Në rrëfimin e saj, ajo nuk la pa përmendur edhe periudhën e vështirë që ka kaluar familja pas divorcit të Indrit, duke theksuar se këto sfida kanë lënë gjurmë të thella.

“Pas këtij 2-vjeçari që është divorcuar, kemi pasur probleme të mëdha familjare. Indri i ka mbajtur mbi shpatulla këto gjëra. Janë çështje shumë intime që nuk mund të ndahen në çdo moment”, tha ajo.

Megjithatë, ajo u shpreh e kënaqur me mënyrën se si po ecën marrëdhënia e re e të birit dhe me sjelljen e Vanesës, duke shpresuar që lidhja e tyre të vazhdojë edhe jashtë fermës.

“Jam shumë e kënaqur me rrugëtimin e saj. Si nënë shpresoj t’i shoh bashkë edhe jashtë”, u shpreh ajo.

Në përfundim, nëna e Indrit theksoi ndjesitë pozitive që ka marrë nga kjo njohje, duke nënvizuar respektin dhe dashurinë që ka ndjerë nga Vanesa.

“Ndjeva respektin dhe dashurinë e saj për mua si nënë. Jam e lumtur kur shoh tim bir të lumtur. Në një ambient të mbyllur, ai ka gjetur një person që e do”, përfundoi ajo.