ShowBiz

E papritur, Gresa largohet nga Ferma Vip: Ndihem e rënduar psikologjikisht

Pas një periudhe të vështirë emocionale brenda shtëpisë së “Ferma Vip”, këngëtarja Gresa Sekiraqa ka vendosur të ndërpresë garën. Largimi i saj erdhi papritur gjatë spektaklit, ku ajo u shpreh se gjendja psikologjike ishte rënduar ndjeshëm ditët e fundit.

Gresa tregoi se momentet e kaluara tek Fakiri, së bashku me largimin e Adit dhe Olës nga formati, kanë ndikuar shumë në gjendjen e saj emocionale. Ajo pranoi se nuk po arrinte më ta përballonte presionin e izolimit dhe situatat e krijuara në fermë.

Moderatorja Arbana Osmani e pranoi menjëherë kërkesën e këngëtares për t’u larguar, duke i thënë: “Gresa do të insistoja siç kam bërë edhe me të tjerët të qëndroje, por nuk po e bëj. Kemi gjëra për të diskutuar, kështu që po të pres në studio”.

Ditët e fundit, Gresa kishte tërhequr vëmendjen edhe për deklaratat e saj lidhur me mesazhet që pretendonte se kishte marrë nga menaxheri përmes një droni. Gjithashtu, publiku kishte vënë re ndryshimin në raportin e saj me Mozën, me të cilën kishte pasur debate dhe përplasje të forta gjatë qëndrimit në fermë.

Ndërkohë, loja në “Ferma Vip” vijon me dinamika të forta. Pesë fermerë ndodhen aktualisht në televotim: Blerina, Sara, Bujaka dhe Moza u dërguan në nominim nga fermerët, ndërsa Henri përfundoi automatikisht në televotim pas ndëshkimit nga Agai për incidentin me Vanesën. Fermeri më i votuar do të shpëtojë, ndërsa katër të tjerët do të përballen të hënën në sfidë, ku një prej tyre do të eliminohet përfundimisht.

Surpriza e mbrëmjes ishte hyrja e dy konkurrenteve të reja në fermë. Gazetaret Kostana Morava dhe Inida Gjata, e njohur ndryshe si Zhaku, janë tashmë pjesë zyrtare e “Ferma Vip”, duke premtuar dinamika dhe tensione të reja në spektakël.

Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=_Zdh2Cj8c7g

Foto;https://www.instagram.com/gresa.sekiraqa