ShowBiz

Monika Kryemadhi: Mateo dhe Brikena nuk do ta zgjasin lidhjen pas “Big Brother VIP”

Monika Kryemadhi ka bërë deklarata të forta lidhur me çiftet e krijuara në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania”, duke vënë në dyshim vazhdimësinë e marrëdhënies mes Mateo Vjenës dhe Brikena Priftit.

E ftuar në emisionin “Andale”, Kryemadhi foli për eksperiencën e saj si analiste e formatit dhe u ndal te dinamika e çifteve të krijuara brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

E pyetur se cili çift mendon se nuk do t’i rezistojë kohës pas përfundimit të spektaklit, ajo u përgjigj pa hezitim:

“Mateo dhe Brikena do ndahen.”

Sipas Kryemadhit, marrëdhënia mes tyre ka qenë më shumë pjesë e lojës sesa një histori e ndërtuar mbi ndjenja reale. Ajo u shpreh skeptike që në fillim për sinqeritetin e raportit të tyre.

“Kam qenë skeptike për këtë çift që në fillim. Nuk e kam besuar që Mateo kishte ndjenja të sinqerta për Brikenën. Më është dukur sikur ai e përdori më shumë si pjesë të lojës,” tha ajo gjatë intervistës.

Kryemadhi shtoi se Brikena duket se ka investuar më shumë emocionalisht në këtë lidhje, ndërsa Mateo, sipas saj, nuk ka treguar të njëjtin intensitet ndjenjash.

Deklaratat e saj kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer debatin mbi autenticitetin e marrëdhënieve të krijuara brenda reality show-ve dhe nëse ato mund të mbijetojnë larg kamerave.