Këngëtari i njohur Robert Berisha ka rikthyer në vëmendje raportin e tij me ish-kunatën, këngëtaren Tuna Sejdiu, duke bërë disa deklarata të forta lidhur me periudhën kur ajo ishte në një lidhje me vëllain e tij, Patris Berisha.
Gjatë një interviste, Roberti foli hapur për arsyet që, sipas tij, krijuan distancën mes tyre, duke theksuar se gjithçka lidhej me mënyrën se si Tuna ishte sjellë ndaj nënës së tyre, e cila në atë kohë vuante nga kanceri.
“Unë edhe kur kanë qenë bashkë ata e kam vendosur atë punë. Nuk kam dashur marrëdhënie fare, e ka stilin e jetës të vet edhe sjelljet e saj do të thotë, të vazhdon kudo por jo me nënën time, me nënën që e kam pasur me kancer edhe sjelljet e saj nuk kanë qenë të mira”, u shpreh këngëtari.
Roberti tregoi gjithashtu se për këtë çështje ka folur edhe më herët në intervista të tjera, duke lënë të kuptohet se raportet mes tyre kanë qenë të tensionuara prej kohësh.
Megjithatë, ai u shpreh se sot nuk mban më hatër dhe i uron Tunës vetëm gjëra të mira në jetë.
“Ka qenë bashkë me vëllanë, tani që nuk janë bashkë vetëm i dëshiroj suksese, jetë të gjatë, suksese asaj dhe fëmijëve të saj. Nuk kisha dashur kurrë të dëgjoj diçka të keqe për të”, tha ai.
Kujtojmë se Tuna Sejdiu dhe Patris Berisha i dhanë fund marrëdhënies së tyre disa vite më parë. Nga lidhja e tyre ata kanë dy fëmijë, ndërsa të dy kanë zgjedhur të vazhdojnë jetën larg polemikave publike.
Ndërkohë, Robert Berisha vazhdon të jetë aktiv në muzikë dhe në projekte televizive, duke mbajtur një profil më të qetë në raport me debatet e së kaluarës.