ShowBiz

Xheneta Fetahu kritikon vendimin e Juliana Nurës për t’u bërë nënë pa partner: “Është egoizëm”

Vendimi i ish-banorës së Big Brother VIP Kosova, Juliana Nura, për t’u bërë nënë si prind i vetëm përmes fekondimit in vitro (IVF), ka vijuar të ngjallë debat të gjerë në rrjetet sociale. Mes shumë reagimeve, së fundmi ka folur edhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3, Xheneta Fetahu, e cila është shprehur hapur kundër kësaj zgjedhjeje.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Xheneta tha se respekton të drejtën e çdo gruaje për të marrë vendime për jetën e saj, por shtoi se në këtë rast mendon se është lënë në plan të dytë interesi i fëmijës.

Sipas saj, dëshira për t’u bërë prind nuk duhet të mbështetet vetëm në nevojat personale, pasi fëmija ka të drejtë të njohë të dy prindërit.

“Nuk jam kundër që një njeri ta jetojë jetën si të dojë, e ka të drejtën e vet. Por jam kundër kur mendohet vetëm për veten. Nuk besoj se suksesi i një gruaje matet vetëm me faktin nëse bëhet nënë apo jo”, u shpreh ajo.

Xheneta e cilësoi vendimin e Julianës si egoist, duke argumentuar se asnjë nënë, pavarësisht përkushtimit të saj, nuk mund ta zëvendësojë figurën e babait në jetën e një fëmije.

“Për mendimin tim je shumë egoiste që sjell në jetë dy engjëj të pafajshëm, të cilët nuk do ta dinë kurrë kush është babai i tyre. Mund t’u ofrosh gjithçka, por ndjenjën e babait nuk mund t’ua plotësosh”, deklaroi ajo.

Ish-banorja shtoi se çdo fëmijë ka të drejtën të dijë origjinën e tij dhe të ketë mundësinë të njohë babanë biologjik, pavarësisht rrethanave.

“Fëmija ka të drejtë, qoftë prindi i mirë apo i keq, ta takojë të paktën një herë në jetë dhe ta dijë kush është. Kjo është krejt ndryshe nga rastet kur prindërit ndahen apo njëri prej tyre nuk përkujdeset për fëmijën”, u shpreh ajo.

Në fund të reagimit, Xheneta theksoi se gjithmonë e ka vlerësuar Julianën si një grua të fortë dhe të pavarur, por këtë herë mendon se ajo ka gabuar.

“Xhuli më ka pëlqyer gjithmonë për forcën që ka treguar si grua, por për këtë vendim nuk pajtohem aspak. Mendoj se këtë herë ke menduar vetëm për veten dhe ke gabuar”, përfundoi ajo.

Burimi;https://www.instagram.com/xhennetafetahuu/

Foto:https://www.instagram.com/xhennetafetahuu/