Ylli i muzikës pop Taylor Swift dhe lojtari i futbollit amerikan Travis Kelce janë martuar, sipas mediave amerikane, të cilat citojnë burime pranë çiftit.
Sipas raportimeve, ceremonia është zhvilluar në prani të një grupi shumë të vogël familjarësh dhe miqsh të afërt. Ende nuk është bërë e ditur se kur dhe ku është mbajtur dasma, ndërsa çifti nuk ka reaguar publikisht për lajmin.
Ndërkohë, në Madison Square Garden në New York po zhvillohen përgatitje për një festë madhështore. Mediat raportojnë se çifti organizoi të enjten një event me rreth 100 të ftuar, ndërsa të premten pritet një festë edhe më e madhe me rreth 1 mijë të ftuar.
Zona përreth arenës është rrethuar nga policia, janë vendosur barriera dhe janë mbyllur disa rrugë. Në vendngjarje janë parë edhe shumë emra të njohur të botës së artit dhe sportit, mes tyre Bradley Cooper, Lena Dunham, Erin Andrews dhe Jack Antonoff.
Gjithashtu, ekipi i Taylor Swift njoftoi se këngëtarja dhe Travis Kelce kanë dhuruar 26 milionë dollarë për disa organizata bamirëse në New York dhe zona të tjera gjatë kësaj jave.
Në hyrje të arenës ishte vendosur një njoftim që u kërkonte të ftuarve të ruanin konfidencialitetin dhe të mos zbulonin detaje për organizatorët apo pjesëmarrësit e eventit.
Përgatitjet për festën kanë përfshirë dekorime të shumta dhe furnizime me ushqime, ndërsa arena nuk ka planifikuar aktivitete të tjera gjatë këtyre ditëve.
Dasma e Taylor Swift dhe Travis Kelce është cilësuar nga mediat amerikane si një nga ngjarjet më të mëdha të botës së showbizz-it. Dyshja u fejua në muajin gusht të vitit të kaluar, pas një romance që tërhoqi vëmendjen e fansave në mbarë botën. Në festë pritet të marrin pjesë edhe shumë personazhe të njohur të muzikës, kinemasë dhe sportit.