Shakira ishte një nga protagonistet kryesore të spektaklit muzikor në finalen e Kupës së Botës 2026, jo vetëm falë performancës së saj energjike, por edhe për shkak të veshjes mbresëlënëse të krijuar posaçërisht për këtë ngjarje.
Ylli kolumbian u ngjit në skenën e stadiumit “New York New Jersey”, në East Rutherford, më 19 korrik, e veshur me një krijim unik nga shtëpia e modës “Roberto Cavalli”.
Veshja, e realizuar nën drejtimin e drejtorit kreativ Fausto Puglisi, kërkoi më shumë se dy javë për t’u përfunduar. Mbi truporen e këngëtares u vendosën me dorë më shumë se 200 mijë kristale “Swarovski”, një proces që kërkoi rreth 120 orë punë artizanale.
Krijimi përbëhej nga një trupore me dekolte të theksuar dhe pjesë të hapura anash, e kombinuar me një fund spektakolar me thekë dhe shtresa pëlhure. Nuancat e arta, të verdha, portokalli dhe rozë ishin frymëzuar nga ngjyrat e perëndimit të diellit.
Dizajni, i quajtur “Ray of Sunset”, u krijua posaçërisht për Shakirën dhe ishte një interpretim i motivit ikonik “Ray of Gold” të shtëpisë “Roberto Cavalli”. Veshja sillte gjithashtu referenca nga paraqitjet e mëparshme të këngëtares në Kupën e Botës.
Në skenë, Shakira u shoqërua nga 34 kërcimtarë, të cilët mbanin kostume të frymëzuara nga veshja e saj dhe të realizuara në të njëjtat ngjyra të perëndimit të diellit.
Këngëtarja performoi së bashku me artistin nigerian Burna Boy këngën “Dai Dai”, himni zyrtar i Kupës së Botës 2026. Ritmet energjike, koreografia dhe veshja e mbuluar me kristale e shndërruan paraqitjen e Shakirës në një nga momentet më të komentuara të spektaklit të parë muzikor të zhvilluar gjatë pushimit të një finaleje të Botërorit.