ShowBiz

Xhesika Polo zbulon historinë e dashurisë: “Kam gjetur njeriun e jetës, e njoha në Instagram”

Këngëtarja Xhesika Polo ka folur hapur për jetën e saj personale, rrugëtimin në muzikë dhe marrëdhënien me partnerin, në një intervistë për “Bordo”.

Artistja, e cila u bë e njohur për publikun që në moshën 14-vjeçare përmes “X Factor”, thotë se pas rreth 15 vitesh në muzikë ndihet më e pjekur dhe në një nga fazat më të mira të jetës së saj.

“Sidomos dy vitet e fundit kam pësuar një katarsis. Ndihem në më të mirën time, në versionin tim ultimat”, është shprehur ajo.

Xhesika ka ndarë gjithashtu detaje për transformimin e saj fizik, duke theksuar se ndryshimi i stilit të jetesës ka ardhur për arsye shëndetësore dhe kujdesi ndaj vetes. Ajo tregoi se partneri i saj ka qenë një mbështetje dhe motivim i madh gjatë këtij procesi.

Por zbulimi më i veçantë i intervistës ishte historia e njohjes së çiftit. Këngëtarja tha se partnerin e saj e ka njohur në Instagram.

“U njohëm në rrjetet sociale dhe është hera e parë që e them. Ai ishte mashkulli i parë që i ktheva përgjigje sportivisht në Instagram”, rrëfeu Xhesika.

Sipas saj, ndjesia se kishte gjetur personin e duhur erdhi që në fillimet e lidhjes.

“Për herën e parë që e kam përqafuar, kam shkuar te babi dhe i thashë: ‘Kam gjetur njeriun e jetës’”, tregoi këngëtarja.

Dyshja kanë folur edhe për të ardhmen dhe dëshirojnë të krijojnë një familje së bashku. “Duam të ndërtojmë atë folenë tonë të bukur me maçokët tanë, me qenusha, me beba”, tha ajo.

Mes emocioneve të bukura, Xhesika kujtoi edhe periudhat e vështira që ka përjetuar pas humbjes së prindërve të saj. Megjithatë, ajo thekson se sot ndihet e lumtur dhe e përmbushur, si në jetën personale ashtu edhe në karrierë.