Padia, e dorëzuar të hënën, më 27 korrik, në Los Angeles, sipas Variety, synon një grup personash të paidentifikuar, të cilët akuzohen për mashtrime elektronike të tipit “phishing” dhe sulme hakerimi që kanë shkaktuar “vjedhje, shpërndarje dhe shfrytëzim të paligjshëm e të rëndë të përmbajtjeve të papublikuara”.

Ekipi ligjor i Grandes përshkruan një model sjelljeje të paligjshme, duke theksuar se hakerët kanë shënjestruar llogaritë personale dixhitale të fotografëve dhe producentëve që kanë bashkëpunuar ngushtë me të, dhe më pas kanë shitur të dhënat dhe përmbajtjet për “shuma të konsiderueshme parash”.

Këngëtarja dhe aktorja i ka paditur autorët me qëllim që të “zbulojë identitetet e këtyre personave aktualisht të panjohur dhe të pamëshirshëm, në mënyrë që ata të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre të dënueshme”.

Në padi thuhet se “është thelbësore që Ariana Grande të sigurohet për veten dhe për të tjerët që një sjellje e tillë të parandalohet në masën më të madhe të mundshme”.

Në padi theksohet gjithashtu se janë regjistruar qindra rrjedhje të materialeve që nga momenti kur ajo bëri debutimin e saj muzikor në vitin 2011.