ShowBiz

Albin Kurti uron Dua Lipën për nisjen e Sunny Hill Festivalit

 Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar Dua Lipës dhe të gjithë pjesëmarrësve nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival në Prishtinë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Kurti vlerësoi rëndësinë që festivali ka fituar ndër vite për jetën kulturore dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Sunny Hill Festival, i organizuar nga Dua Lipa, është shndërruar në një nga ngjarjet kryesore kulturore të Kosovës, duke tërhequr më shumë se 100 mijë vizitorë vetëm gjatë vitit të kaluar. Me nisjen e festivalit sot, u urojmë të gjithëve një përvojë të mrekullueshme dhe të paharrueshme. Shijoni muzikën, atmosferën dhe gjithçka që kanë për të ofruar Prishtina dhe Kosova”, ka shkruar Kurti.

Edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival nis sot dhe do të zgjasë deri të dielën, duke pritur mijëra vizitorë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.

Në skenën kryesore do të performojnë emra të njohur të muzikës ndërkombëtare. Katy Perry pritet të ngjitet në skenë në natën e parë, Lewis Capaldi do të jetë ylli i natës së dytë, ndërsa festivali do të përmbyllet me performancën e DJ-së dhe producentit të njohur Martin Garrix.

Përveç artistëve ndërkombëtarë, festivali do të sjellë edhe dhjetëra emra të skenës shqiptare dhe asaj botërore, duke e kthyer Prishtinën në një nga qendrat kryesore të muzikës dhe argëtimit këtë fundjavë.