ShowBiz

Kim Kardashian heq dorë nga 167 mijë dollarë dhe mbyll çështjen ligjore me Ivan Cantu

Kim Kardashian ka mbyllur mosmarrëveshjen ligjore me Ivan Cantu, ndërsa njëkohësisht ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram momente nga pushimet në liqen.

Ylli i reality show-t publikoi disa fotografi me bikini të zeza, por vëmendje mori edhe zhvillimi i fundit në çështjen ligjore që e shoqëronte prej muajsh.

Sipas TMZ, Kardashian ka vendosur të heqë dorë nga 167 mijë dollarët, ose rreth 145 mijë euro, që Ivan Cantu ishte urdhëruar t’i paguante si shpenzime ligjore, pasi padia e tij ndaj saj u rrëzua nga gjykata.

Çështja nisi në shkurt të vitit 2024, kur Kim Kardashian publikoi gabimisht në rrjetet sociale fotografinë e Ivan Cantu-t, duke e identifikuar atë si një të dënuar me vdekje. Kardashian synonte të promovonte rastin e një personi tjetër me të njëjtin emër.

Pas kësaj, Cantu e paditi atë, duke pretenduar se publikimi i fotografisë para miliona ndjekësve i kishte dëmtuar reputacionin dhe i kishte shkaktuar ankth e depresion.

Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë padinë dhe e urdhëroi Cantun të mbulonte shpenzimet ligjore të Kardashian.

Sipas raportimeve, palët e kanë zgjidhur çështjen privatisht. Përfaqësuesit ligjorë të Kim Kardashian kanë deklaruar se ajo pranoi të hiqte dorë nga shuma e vendosur nga gjykata, ndërsa Ivan Cantu e tërhoqi përfundimisht padinë ndaj saj.