ShowBiz

“Ndoshta po vdes para syve tanë”, deklarata e Jameela Jamil për Ariana Granden ndez debat

Jameela Jamil ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, pasi komentoi publikisht për pamjen fizike të Ariana Grandes dhe shprehu shqetësim për gjendjen e saj.

Deklarata e aktores dhe aktivistes britanike erdhi pas diskutimeve që janë zhvilluar së fundmi për paraqitjen e këngëtares në videoklipin e saj më të ri, “Petal”. Në një reagim të saj, Jamil tha se Ariana “ndoshta po vdes para syve tanë”, duke ngritur shqetësime për dobësinë e dukshme të artistes.

Jameela, e cila në të kaluarën ka folur hapur për përvojën e saj me anoreksinë dhe presionin e vazhdueshëm që industria vendos mbi pamjen e grave, kritikoi edhe njerëzit që punojnë pranë këngëtares. Sipas saj, ekipi i Ariana Grandes duhet të tregojë më shumë përgjegjësi për mënyrën se si artistja paraqitet në publik.

Megjithatë, deklarata e saj nuk u prit mirë nga të gjithë. Shumë përdorues të rrjeteve sociale e akuzuan Jamil se po bënte supozime për shëndetin e Ariana Grandes pa pasur informacion të konfirmuar, duke theksuar se komentet publike për trupin e saj mund të jenë të dëmshme.

Të tjerë rikujtuan se Ariana Grande ka kërkuar disa herë që publiku të mos krahasojë dhe të mos komentojë pamjen e saj fizike. Këngëtarja ka folur më parë për vështirësinë e të qenit vazhdimisht nën vëzhgim dhe ka apeluar që njerëzit të jenë më të kujdesshëm me fjalët e tyre.

Deri tani, Ariana Grande nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së Jameela Jamil.