ShowBiz

Travis Barker rrëfen traumën nga rrëzimi i avionit dhe humbjen e shtatzënisë me Kourtney Kardashian

Bateristi i grupit Blink-182, Travis Barker, ka folur hapur për aksidentin ajror që për pak i mori jetën, betejën me traumën psikologjike dhe humbjen e shtatzënisë që përjetoi me bashkëshorten Kourtney Kardashian.

Në një intervistë për emisionin “Popcast” të “The New York Times”, artisti 50-vjeçar promovoi dokumentarin e ri “Travis Barker: Louder Than Fear”, i cili pritet të publikohet më 13 gusht në Hulu dhe Disney+.

Dokumentari trajton rrugëtimin e Barker nga fillimet në muzikë deri te suksesi me Blink-182, por në qendër të tij është aksidenti tragjik ajror i vitit 2008 në Karolinën e Jugut.

Avioni privat u rrëzua dhe mori flakë menjëherë pas ngritjes. Katër persona humbën jetën, ndërsa Barker dhe miku i tij Adam “DJ AM” Goldstein ishin të vetmit që mbijetuan.

Barker pësoi djegie në rreth 70 për qind të trupit, qëndroi për gjashtë muaj në një qendër të specializuar për djegiet dhe iu nënshtrua 30 ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Isha shumë pranë vdekjes”, ka deklaruar muzikanti, duke treguar se pas aksidentit nuk ishte i sigurt nëse do të mund të luante përsëri në bateri, madje as nëse do të ecte normalisht.
Ngjarja i shkaktoi çrregullim të stresit post-traumatik dhe një frikë të thellë nga fluturimi. Për 13 vjet ai refuzoi të hipte në avion, deri kur mbështetja e Kourtney Kardashian dhe e fëmijëve e ndihmoi të përballej përsëri me frikën.

“Familja më dha shpresë. Tani fluturoj gjatë gjithë kohës. Kur ka turbulenca dhe shoh se bashkëshortja ime është e qetë, kjo më ndihmon”, tregoi ai.
Barker foli gjithashtu për vendimin që ai dhe Kourtney Kardashian të përfshinin në dokumentar humbjen e një shtatzënie, përpjekjet e pasuksesshme për fekondim artificial dhe  rrugëtimin që përfundoi me ardhjen në jetë të djalit të tyre, Rocky Thirteen, në nëntor 2023.

Sipas muzikantit, çifti vendosi ta ndajë publikisht këtë përvojë për t’i ndihmuar njerëzit që kanë kaluar situata të ngjashme.

“Kur një përvojë mund t’u vlejë njerëzve ose t’i ndihmojë të identifikohen me të, atëherë mendoj se ia vlen të flitet. Udhëtimi ynë, humbjet e shtatzënisë, përpjekjet e dështuara me IVF-në dhe më pas ardhja natyrshëm e fëmijës është një histori me të cilën mund të lidhen shumë njerëz”, u shpreh Barker.

Dokumentari pasqyron edhe marrëdhënien e tij me fëmijët dhe përpjekjet për të bashkuar dy familje të njohura publike. Barker tha se dëshiron të mbahet mend jo vetëm për muzikën dhe aftësitë e tij si baterist, por edhe si një baba dhe bashkëshort i mirë.

“Përvojat traumatike mund ta shkatërrojnë ose ta përcaktojnë një njeri. Çdo humbje më ka bërë më të fortë”, deklaroi ai.