Lifestyle

Psikologia: Shumë burra e mbajnë të fshehtë dhunën seksuale për dekada

 Shumë burra që kanë përjetuar dhunë seksuale e mbajnë këtë përvojë të fshehtë për vite, madje për dekada, për shkak të turpit, frikës nga mosbesimi dhe stereotipeve mbi maskulinitetin.

Një psikologe, e cila prej 16 vitesh punon me veteranë dhe pacientë të tjerë që kanë përjetuar kontakt seksual të padëshiruar, thotë se një nga shprehjet që dëgjon më shpesh është: “Do të doja të kisha folur më herët për këtë”.

Sipas saj, shumë burra nuk ndihen të përfaqësuar në debatet publike mbi dhunën seksuale. Ata shpesh druhen se do të paragjykohen si të dobët, se nuk do të besohen ose, në raste të caktuara, se do të shihen vetë si autorë të mundshëm të dhunës dhe jo si viktima.

Të dhënat e Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregojnë se afro një në katër burra në SHBA ka përjetuar një formë dhune seksuale me kontakt. Megjithatë, burrat priren ta raportojnë më rrallë dhe të vonojnë rrëfimin e përvojës së tyre, mesatarisht nga 15 deri në 20 vjet.

Ekspertët theksojnë se mitet, si ideja se një burrë “duhet të kishte rezistuar” ose se reagimet fizike gjatë sulmit nënkuptojnë pëlqim, e thellojnë heshtjen dhe fajësimin e viktimës.

Traumat mund të shoqërohen me ankth, turp, zemërim, izolim, përdorim të substancave dhe çrregullim stresi post-traumatik. Një reagim përçmues nga familjarët, miqtë apo institucionet mund ta rëndojë më tej gjendjen e tyre.

Psikologët nënvizojnë se dëgjimi pa gjykim, besimi ndaj personit që rrëfehet dhe nxitja për të kërkuar mbështetje profesionale mund të reduktojnë turpin dhe të ndihmojnë procesin e shërimit.