Elon Musk, një nga njerëzit më të pasur dhe më me ndikim në botë, ka dhënë një intervistë të gjatë për “The Economist”, ku ka ndarë pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale, zhvillimin e Kinës, interesin për Europën dhe angazhimin e tij në politikë.
Në bisedën me kryeredaktoren e “The Economist”, Zanny Minton Beddoes, e zhvilluar në fabrikën Gigafactory të Tesla-s në Teksas, Musk ka folur për sfidat dhe ndryshimet që, sipas tij, do të formësojnë vitet e ardhshme.
Themeluesi i Tesla dhe SpaceX ka ndalur te ritmi i shpejtë i zhvillimit të inteligjencës artificiale, duke diskutuar kohën kur kjo teknologji mund të arrijë ose të tejkalojë inteligjencën njerëzore. Ai ka vënë në dukje gjithashtu progresin e madh të Kinës në teknologji dhe industri, duke e cilësuar atë si një faktor gjithnjë e më të rëndësishëm në garën globale.
Musk ka folur edhe për interesin e tij ndaj Europës, ndërsa ka reflektuar hapur për përfshirjen e tij në jetën politike. “U përfshiva pak më shumë seç duhej në politikë”, është shprehur ai, duke pranuar se angazhimi publik dhe deklaratat e tij shpesh kanë shkaktuar debat.
Intervista vjen pas interesit të madh që ka shoqëruar zhvillimet e fundit të SpaceX, ndërsa Musk vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për ndikimin e tij në teknologji, biznes dhe debatet publike.