Spekulimet për dasmën e shumëpërfolur të Taylor Swift dhe Travis Kelce kanë marrë përmasa të mëdha ditët e fundit, duke përfshirë edhe autoritetet lokale në Rhode Island. Fillimisht, fansat dhe rrjetet sociale përhapën teorinë se çifti do të kurorëzonte dashurinë e tyre në qershor në Watch Hill – një zonë bregdetare ku Swift zotëron një pronë luksoze.
Megjithatë, këto aludime janë hedhur poshtë nga vetë zyrtarët lokalë. Menaxheri i qytetit Westerly, Shawn Lacey, deklaroi se nuk ka asnjë informacion apo kërkesë zyrtare për organizimin e një dasme në atë zonë.
“Nuk kemi dijeni për ndonjë martesë që do të zhvillohet në qershor. Nëse do të kishte, me siguri do të ishim në dijeni,” u shpreh ai gjatë një mbledhjeje të këshillit bashkiak.
Sipas tij, një event i kësaj përmase – sidomos kur bëhet fjalë për një çift kaq të famshëm – do të kërkonte koordinim me disa institucione dhe agjenci, gjë që e bën pothuajse të pamundur që të organizohet në fshehtësi, veçanërisht në një kohë kaq të shkurtër.
Edhe këshilltarët lokalë ngritën shqetësimin për interesin e madh publik, por autoritetet konfirmuan se nuk ka asnjë rezervim apo plan konkret për një ceremoni të tillë në Watch Hill.
Pavarësisht kësaj, spekulimet nuk janë shuar plotësisht. Ato thjesht janë zhvendosur drejt vendeve të tjera, me disa raportime që sugjerojnë New York-un si një destinacion të mundshëm për dasmën, ndoshta në fillim të korrikut. Megjithatë, edhe këto mbeten të pakonfirmuara.
Taylor Swift dhe Travis Kelce njihen për ruajtjen e një privatësie të fortë kur bëhet fjalë për jetën e tyre personale, çka e bën edhe më të vështirë verifikimin e këtyre lajmeve.
Burimi;:https://www.marca.com/en/nfl/kansas-city-chiefs/2026/04/13/69dd3954268e3e65508b45a2.html
Foto; https://www.instagram.com/taylorswift/?hl=en