Fenomeni i “Mercurit retrograd” është kthyer vitet e fundit në një nga temat më të komentuara në rrjetet sociale, sidomos kur gjërat duket se shkojnë keq: teknologjia dështon, komunikimi prishet apo planet nuk realizohen.
Por sipas një artikulli të publikuar në Psychology Today, arsyeja pse shumë njerëz i atribuojnë kaosit këtij fenomeni astrologjik lidhet më shumë me psikologjinë njerëzore sesa me lëvizjet e planetëve.
Artikulli shpjegon se Mercuri në fakt nuk lëviz realisht mbrapsht. Fenomeni i quajtur “retrograd” është thjesht një iluzion optik i krijuar nga orbitat relative të Tokës dhe Merkurit. Megjithatë, njerëzit priren ta interpretojnë këtë si simbolikë të jetës që “ecën mbrapa”.
Psikologët e lidhin këtë me atë që njihet si “confirmation bias” ose paragjykimi konfirmues. Kur dëgjojmë se “Mercuri është retrograd”, ne fillojmë të vërejmë më shumë problemet e vogla të përditshme, si vonesat, keqkuptimet apo defektet teknologjike, duke i konsideruar si prova që astrologjia “po funksionon”.
Sipas studiuesve, kjo ndodh sepse truri i njeriut ka tendencën të kërkojë informacione që mbështesin bindjet ekzistuese, ndërsa injoron rastet kur gjithçka shkon normalisht.
Artikulli thekson gjithashtu se këshilla që jep astrologjia gjatë periudhës së retrogradit — të ecim më ngadalë, të mos marrim vendime të nxituara dhe të reflektojmë më shumë — ka një bazë reale psikologjike.
Kjo lidhet me teorinë e Daniel Kahneman mbi dy sistemet e të menduarit:
- Sistemi 1, që është i shpejtë, impulsiv dhe emocional;
- Sistemi 2, që është më i ngadaltë, analitik dhe racional.
Në këtë mënyrë, ideja e “Mercurit retrograd” mund të shërbejë si një justifikim kulturor për të bërë pauzë dhe për të reflektuar më shumë mbi vendimet tona.
Artikulli ndalet edhe te “hindsight bias”, tendenca e njerëzve për të menduar se ngjarjet e së kaluarës kanë qenë të parashikueshme pasi kanë ndodhur. Sipas ekspertëve, periudhat e retrogradit shpesh përdoren si moment reflektimi për gabimet apo vendimet e së kaluarës.
Në fund, psikologët argumentojnë se Mercuri është bërë “fajtori ideal” sepse lidhet me fusha shumë të ndjeshme të jetës moderne: komunikimin, teknologjinë dhe udhëtimet. Dhe pikërisht në këto fusha njerëzit vërejnë më shpejt problemet sesa momentet kur gjithçka funksionon normalisht.
Burimi;https://www.psychologytoday.com/us/blog/the-psychology-of-relationships-and-emotional-intelligence/202605/the-psychology-of-mercury
Foto: freepik.com