Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival mblodhi në Prishtinë mijëra adhurues të muzikës, artistë të njohur dhe shumë figura të botës së spektaklit, ndërsa Dua Lipa ishte një nga emrat më të përfolur gjatë netëve të festivalit.
Megjithatë, fansat vunë re mungesën e partnerit të saj, aktorit britanik Callum Turner, i cili nuk ishte i pranishëm në Kosovë këtë vit.
Ndryshe nga edicioni i kaluar, kur Turner e shoqëroi Duan në Sunny Hill Festival dhe kaloi kohë pranë saj gjatë qëndrimit në Prishtinë, këtë herë ai nuk ka mundur t’i bashkohet këngëtares për shkak të angazhimeve profesionale.
Sipas raportimeve, aktori ndodhej në New York, ku ka nisur promovimin e filmit të tij të ri romantik, “One Night Only”. Në këtë projekt, Callum Turner interpreton rolin kryesor përkrah aktores Monica Barbaro.
Megjithëse mungoi fizikisht në festival, angazhimet e Turnerit duket se lidhen vetëm me orarin e ngjeshur të punës, ndërsa Dua Lipa ka vazhduar të ndajë me publikun momente nga Sunny Hill pranë familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të saj.