Psikologët e quajnë këtë “kujtesë prospektive” — aftësinë për të mbajtur mend një detyrë që duhet realizuar në të ardhmen dhe për ta kryer atë në kohën e duhur.
Ky proces kalon në katër faza: planifikimi, rikujtimi i vetes ose i të tjerëve, realizimi i aktivitetit dhe vlerësimi nëse detyra është përmbushur siç duhet. Shpesh, kjo lloj pune mendore mbetet e padukshme për pjesën tjetër të familjes.
Një studim i vitit 2022 nga psikologet Erin Harrington dhe Celinda Reese-Melancon ka analizuar mënyrën se si shpërndahet kjo barrë në familjet me fëmijë.
Sipas gjetjeve, baballarët priren ta konsiderojnë ndarjen e kujtesës dhe organizimit familjar si të barabartë. Ndërsa nënat raportojnë se mbajnë një pjesë më të madhe të kësaj ngarkese, veçanërisht kur bëhet fjalë për nevojat e fëmijëve.
Studiueset kanë vërejtur se nënat merren më shpesh me fazat e para të këtij procesi: planifikimin e asaj që duhet bërë, përcaktimin e kohës dhe rikujtimin e fëmijëve për angazhimet e tyre.
Një gjetje interesante ishte se vlerësimi i nënave për kontributin e baballarëve përputhej me atë që deklaronin vetë baballarët. Por kur baballarët vlerësonin sa kujdeseshin nënat për këtë pjesë të organizimit familjar, përgjigjet e tyre ishin dukshëm më të ulëta se ajo që raportonin nënat.
I njëjti model u vu re edhe në mbështetjen mes partnerëve. Ndërsa baballarët e shihnin ndihmën që i jepnin njëri-tjetrit për të mbajtur mend detyrat si të ngjashme, nënat deklaruan se ndërhyjnë më shpesh për t’i rikujtuar partnerët për angazhimet e tyre.