Jonida Maliqi flet për konfliktin me Soni Malaj: “Veprime fëminore, u vazhdua edhe pas largimit tim”
Këngëtarja Jonida Maliqi ka rrëfyer eksperiencën e saj në “Ferma VIP”, duke ndarë hapur sfidat dhe përplasjet që ka pasur me banorët, veçanërisht me Soni Malaj.
E ftuar në “Ferma Club”, Jonida tregoi se një nga momentet më të vështira për të ka qenë sfida e bajgës, për shkak të problemeve shëndetësore.
“Sfida e bajgës ishte e vështirë sepse vuaj nga refluksi. Aroma më përshtjell dhe mund të vjell. Tentova, hoqa unazat dhe u ngjita në shkallë, por aroma ishte marramendëse. Do më vinte shumë turp nëse do villja aty. Unë nuk vuaj për viralitet, në skenë dhe në emisione kam treguar gjithmonë më të mirën time,” u shpreh ajo.
Sa i përket konfliktit me Soni Malaj, Jonida theksoi se nuk kishte dëshirë që situata të agravonte, por u zhgënjye nga mënyra se si u trajtua pas daljes së saj nga shtëpia.
“Nuk doja që me Soni të kishim konflikt. Kur gjërat sqarohen, duhet të mbyllen aty. Më erdhi keq që ajo e ka vazhduar edhe pasi unë jam larguar nga shtëpia. Kjo më duket fëminore dhe jo e drejtë për një zonjë,” tha këngëtarja.
Deklaratat e saj kanë rikthyer vëmendjen te raportet mes ish-banorëve të “Ferma VIP”, duke nxitur diskutime mbi mënyrën si konfliktet vazhdojnë edhe jashtë formatit.