Pas komenteve dhe aludimeve të shumta që kanë qarkulluar në rrjetet sociale lidhur me raportin e Fabiolës me produksionin e “Ferma VIP”, ka reaguar publikisht regjisori dhe producenti Eduart Grishaj.
Përmes një postimi në InstaStory, bashkëshorti i moderatores Arbana Osmani ka sqaruar se Fabiola nuk është familjare e tij dhe se nuk ka pasur asnjë favorizim nga ana e produksionit për ta bërë pjesë të spektaklit.
“Asnjë kushëri apo kushërirë e imja nuk ka qenë, as nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e ndonjë reality show ku unë jam i përfshirë si pjesë e produksionit”, shkroi Grishaj në reagimin e tij.
Ai tregoi se ka qenë vetë personi që e ka propozuar Fabiolën për “Ferma VIP 3”, duke theksuar se arsyeja lidhej me energjinë dhe potencialin që ajo ka si një vajzë e re nga Malësia e Madhe.
“Fabiolën e kam propozuar unë për Ferma VIP 3, sepse kam vlerësuar energjinë dhe potencialin e saj si vajzë e re që vjen nga Malësia e Madhe. Nuk jam penduar për këtë zgjedhje”, u shpreh ai.
Më tej, Grishaj komentoi edhe reagimet që kanë lindur pas situatave të fundit në spektakël, duke theksuar se njerëzit mund të gabojnë, sidomos në kushte presioni emocional dhe transmetimi live.
“Nga një moment apo një gabim nuk mund të gjykohet e gjithë jeta e një vajze 23-vjeçare, familja apo vendi nga ajo vjen”, shkroi producenti.
Në fund të reagimit të tij, ai foli edhe për mënyrën se si Arbana Osmani menaxhoi situatën në studio, duke e vlerësuar moderatoren për qasjen e saj njerëzore dhe profesionale.
“Arbana ajo është, njerëzore me çdo njeri në çdo situatë dhe mendoj që ai reagim ka ndryshuar qasjen e prezantimit dhe të gazetarisë në vendin tonë”, përfundoi Grishaj.
Reagimi i tij vjen pas diskutimeve të shumta në rrjet, ku një pjesë e publikut aludonte për lidhje familjare mes tij dhe Fabiolës, si edhe për favorizime të mundshme në kuadër të spektaklit.