Këngëtarja legjendare Bonnie Tyler, e njohur për hitet botërore “Total Eclipse of the Heart“, “Holding Out for a Hero” dhe “It’s a Heartache“, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të artistes, ku thuhet se ajo u shua papritur mbrëmjen e së mërkurës në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po trajtohej.
“Familja dhe ekipi i Bonnie janë të shkatërruar nga dhimbja. Ajo ndërroi jetë papritur në spital në Portugali si rezultat i sëmundjes që po trajtohej”, thuhet në deklaratë.
Në muajin maj, këngëtarja iu nënshtrua një operacioni urgjent në zorrë në Portugali dhe u vendos në gjendje kome të induktuar. Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj kishte bërë të ditur se ajo kishte dalë nga koma, por vazhdonte të ishte në gjendje shumë të rëndë dhe në terapi intensive.
Familja ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë, ndërsa ka bërë të ditur se një deklaratë më e detajuar do të publikohet së shpejti.
Pas lajmit për ndarjen e saj nga jeta, Sekretarja për Uellsin, Jo Stevens, e cilësoi Bonnie Tyler si një ikonë të muzikës uellsiane.
“Jam thellësisht e trishtuar që mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bonnie Tyler. Një ikonë e muzikës uellsiane, fituese e çmimeve Grammy dhe Brit, dhe zëri që shoqëroi vitet e adoleshencës sime”, shkroi ajo në një postim në X.
E lindur me emrin Gaynor Hopkins, Bonnie Tyler e nisi karrierën në vitin 1977, por u bë një yll ndërkombëtar me hitet It’s a Heartache, Total Eclipse of the Heart dhe Holding Out for a Hero. Kënga Total Eclipse of the Heart (1983) kryesoi klasifikimet në Britani dhe SHBA, duke e bërë atë artisten e parë nga Uellsi që arriti vendin e parë në Amerikë.
Gjatë karrierës u nominua për çmime Grammy, përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Eurovision në vitin 2013 dhe në vitin 2023 u nderua me titullin MBE për kontributin në muzikë. Ajo lë pas bashkëshortin e saj, Robert Sullivan, me të cilin ishte e martuar prej më shumë se 50 vitesh.