Reperi i njohur MC Kresha ka ndarë disa reflektime të sinqerta mbi rrugëtimin e tij në muzikë, duke folur për sfidat, kompromiset dhe rëndësinë e ruajtjes së identitetit artistik.
Në një intervistë të fundit, ai tregoi se frymëzimi për krijimtarinë e tij nuk vjen nga një burim i vetëm, por është rezultat i përditshmërisë dhe emocioneve që përjeton. “Frymëzimi varion. Nuk mund të them që e gjej te diçka specifike. Është më shumë një përzierje ndjenjash nga jeta e përditshme që më japin shkëndijën për të shkruar”, u shpreh ai.
Një nga momentet më të forta të intervistës ishte kur MC Kresha foli për presionin e industrisë muzikore, duke theksuar se shpesh artistëve u kërkohet të ndryshojnë për t’iu përshtatur tregut. Ai pranoi se në disa raste ka bërë kompromise, por në të tjera ka zgjedhur të qëndrojë besnik ndaj vetes, edhe pse kjo i ka kushtuar financiarisht.
“Industria të kërkon të bësh gjithçka që ti nuk je. Ka pasur raste që kam bërë kompromis, por ka pasur edhe raste kur nuk i kam dëgjuar dhe kam humbur para”, tha ai, duke nënvizuar se integriteti artistik për të ka qenë gjithmonë më i rëndësishëm se fitimi.
I pyetur nëse është penduar për këto humbje, reperi u shpreh i qetë dhe i bindur në zgjedhjet e tij: “Nuk pendohem për tamël të derdhun. Nuk ka qenë e shkruajtur që ato para të vijnë te unë.”
Me këtë qëndrim, MC Kresha jep një mesazh të qartë për artistët e rinj: suksesi nuk duhet të vijë duke sakrifikuar identitetin personal dhe vlerat artistike.
Burimi; https://www.youtube.com/watch?v=B2bLID8l1bc
Foto,https://www.instagram.com/tavnikcity/