Romeo Beckham, djali i ish-futbollistit të njohur David Beckham dhe stilistes Victoria Beckham, është përballur me drejtësinë britanike pasi u kap duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të automjetit në Londër.
Sipas raportimeve të mediave britanike, 23-vjeçari u ndalua nga policia në zonën e Westminsterit, pasi u pa duke mbajtur telefonin me të dyja duart teksa priste në semafor, në vend që t’i kishte ato në timon.
Autoritetet konstatuan se Beckham po shfletonte telefonin dhe nuk kishte kontroll të plotë mbi automjetin e tij, një Porsche 911. Gjatë kontrollit, policia vuri re gjithashtu se në ulësen e pasagjerit ndodhej një grua me një qen të pasiguruar në prehër, çka përbën shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Fillimisht, atij iu dha mundësia të shmangte procedurat gjyqësore duke paguar një gjobë dhe duke ndjekur një kurs për drejtim të sigurt. Megjithatë, Beckham nuk iu përgjigj ofertës së autoriteteve, duke bërë që çështja të përfundonte në gjykatë.
Gjykata e Westminsterit e shpalli fajtor për drejtim të mjetit pa kontrollin e duhur dhe i shqiptoi një gjobë prej 440 funtesh. Përveç kësaj, ai mori tre pikë ndëshkuese në patentën e shoferit dhe u urdhërua të paguante edhe kostot gjyqësore dhe tarifat shtesë.
Burimi;: https://www.thescottishsun.co.uk/news/16403946/romeo-beckham-cops-dog-loose-porsche-using-phone/
Foto;https://www.instagram.com/romeobeckham/