Home ShowBiz Sunny Hill Festival merr vëmendjen e mediave më të mëdha botërore
Sunny Hill Festival merr vëmendjen e mediave më të mëdha botërore
0

Sunny Hill Festival merr vëmendjen e mediave më të mëdha botërore

0
0

Sunny Hill Festival, festivali më i madh i muzikës në Kosovë dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Evropën Juglindore, ka tërhequr vëmendjen e disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare.

Associated Press, Reuters, USA Today, Yahoo dhe Fortune janë ndër platformat që i kanë kushtuar hapësirë festivalit, duke e sjellë ngjarjen muzikore nga Kosova para një audience globale.

Prania në mediat ndërkombëtare e vendos Sunny Hill Festivalin mes ngjarjeve kulturore që po fitojnë interes përtej rajonit, duke ndihmuar njëkohësisht në promovimin e Prishtinës dhe Kosovës si destinacion për turizëm, muzikë dhe argëtim.

Një rol të rëndësishëm në zgjerimin e festivalit pritet të ketë edhe bashkëpunimi me platformën Fever, e njohur për zbulimin e përvojave dhe eventeve live. Platforma, e cila gjatë vitit të kaluar ka arritur mbi 300 milionë përdorues në më shumë se 40 shtete, do të shërbejë si një nga portat kryesore ndërkombëtare për rezervimin e biletave nga publiku jashtë Kosovës.

Fever do të përdorë teknologjinë dhe rrjetin e saj global të marketingut për të mbështetur zgjerimin ndërkombëtar të Sunny Hill Festival. Po ashtu, festivali do të listohet edhe në DICE, platformën e biletave që Fever e bleu në vitin 2025, duke e bërë më të lehtë për fansat në mbarë botën ta zbulojnë dhe të sigurojnë biletat e tyre.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është të lehtësojë ardhjen e vizitorëve ndërkombëtarë, të nxisë shkëmbimin kulturor dhe të forcojë ndikimin ekonomik që festivali sjell në turizmin e Kosovës.

Edicioni i sivjetmë i Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026, në Sunny Hill Festival Park në Prishtinë.

Në mesin e emrave të konfirmuar për këtë vit janë Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Dhurata Dora, Ledri Vula, Blanco, Adam Port dhe Rampa nga Keinemusik, PAWSA, Seth Troxler, Carlita, MC Kresha & Manifest, si dhe shumë artistë të tjerë.

Sunny Hill Festival u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin “Dugi” Lipa, ndërsa promovimi i tij ndërkombëtar udhëhiqet nga Dua Lipa, fituese e trefishtë e çmimit Grammy.