“Noizy më i mbivlerësuar”/ Cllevio rendit VIP-at shqiptarë: Karton i kuq për Xhensila Myrtezajn, Topi i Artë për Getoarin
Reperi Cllevio ishte i ftuari i radhës në emisionin “Kampionët e Botës” në Tv Klan, ku, përveç diskutimeve mbi futbollin dhe Botërorin 2026, u bë pjesë e një rubrike argëtuese, duke bërë një renditje të personazheve më të njohur të skenës shqiptare.
Me përgjigje të drejtpërdrejta dhe pa hezitim, Cllevio dha vlerësimet e tij për disa nga emrat më të komentuar të muzikës shqiptare, duke krijuar momente interesante në studio.
I pyetur nga moderatorja Vjollca se cili është artisti më i mbivlerësuar, reperi përmendi menjëherë Noizy-n, duke e cilësuar si emrin që, sipas tij, gëzon më shumë vlerësim sesa meriton.
Më pas, pyetjet vijuan me analogji futbollistike. Për artistin që “bën më shumë zhurmë sesa futboll”, Cllevio zgjodhi Stresin, megjithëse theksoi se nuk mendon se ndonjë artist bën domosdoshmërisht më shumë zhurmë se sa punë.
Kur u pyet se cila këngëtare “e vendos ndeshjen në skenë” aktualisht, ai nuk ngurroi të përmendte Dafina Zeqirin, duke e cilësuar si një “divë” të muzikës shqiptare.
Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje ishte përgjigjja për “kartonin e kuq”. Cllevio tha se këtë vlerësim do t’ia jepte Xhensila Myrtezajt, pa dhënë detaje shtesë mbi arsyet e zgjedhjes së tij.
Ndërkohë, për artistin me “merkaton” më të madhe, ai përzgjodhi Gango-n, ndërsa çmimin simbolik “Topi i Artë” ia dha Getoar Selimit, duke e konsideruar atë si artistin që e meriton më shumë këtë vlerësim.
Përgjigjet e Cllevio-s u shoqëruan me reagime dhe të qeshura në studio, ndërsa rubrika solli një ndërthurje interesante mes futbollit dhe botës së showbiz-it shqiptar, duke i vendosur artistët në rolin e “lojtarëve” të fushës së muzikës.