Home Lifestyle Pse disa njerëz ndjekin gjithçka në rrjete sociale, por nuk postojnë kurrë?
Pse disa njerëz ndjekin gjithçka në rrjete sociale, por nuk postojnë kurrë?
0

Pse disa njerëz ndjekin gjithçka në rrjete sociale, por nuk postojnë kurrë?

0
0

Disa persona duket se dinë çdo gjë që ndodh në rrjetet sociale, por nuk zbulojnë pothuajse asgjë për jetën e tyre. Ata shohin çdo “story” në Instagram, vënë re ndryshimet e punës në LinkedIn dhe kujtojnë postime që të tjerët i kanë harruar prej kohësh.

Megjithatë, rrallë vendosin “like”, shkruajnë komente ose publikojnë përmbajtje. Ata janë të pranishëm në hapësirën digjitale, por mbeten pothuajse të padukshëm. Kjo sjellje njihet si “lurking”  konsumimi i përmbajtjes në rrjete sociale pa ndërvepruar publikisht me të.

Sipas psikologëve, kjo nuk ka një shpjegim të vetëm. Disa njerëz zgjedhin të mos postojnë për shkak të kuriozitetit, ankthit social, kujdesit ndaj reputacionit profesional ose thjesht sepse nuk duan ta shfaqin jetën e tyre online.

Për disa, heshtja është një formë vetëmbrojtjeje. Postimi nënkupton ekspozim ndaj vlerësimit të të tjerëve: një foto mund të marrë më pak pëlqime se sa pritej, një opinion mund të kundërshtohet ose një koment mund të keqkuptohet. Në këtë mënyrë, njerëzit mund të përfitojnë nga informacioni dhe lidhjet që ofrojnë platformat, pa marrë përsipër rrezikun e ekspozimit.

Perfeksionizmi mund të ndikojë gjithashtu. Dikush mund të ketë bërë shumë foto gjatë pushimeve, por të mos publikojë asnjërën sepse nuk i konsideron mjaftueshëm tërheqëse. Një profesionist mund të dëshirojë të ndajë një arritje në LinkedIn, por të tërhiqet nga frika se ajo duket e parëndësishme krahas suksesit të kolegëve.

Një analizë e 141 studimeve ka treguar se përdorimi aktiv dhe ai pasiv i rrjeteve sociale nuk lidhen në mënyrë të fortë me mirëqenien në vetvete. Ndikimi ndryshon sipas personit, kontekstit dhe mënyrës së përdorimit të platformës. Kjo do të thotë se mungesa e postimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë përfshirjeje emocionale.

Instagram dhe LinkedIn krijojnë lloje të ndryshme krahasimi. Në Instagram, përdoruesit përballen shpesh me imazhe të trupit, marrëdhënieve, pushimeve dhe stilit të jetesës. Kjo mund të ushqejë pyetjen: “Pse jeta ime nuk duket kështu?”

Në LinkedIn, krahasimi është më profesional. Përdoruesit shohin promovime, çmime, botime dhe pozicione të reja pune, çka mund të krijojë ndjesinë se janë prapa në karrierë. Për shkak se në të njëjtin audiencë mund të jenë punëdhënës, kolegë, klientë dhe rekrutues, heshtja në këtë platformë mund të jetë një zgjedhje strategjike dhe jo domosdoshmërisht shenjë ankthi.

Në fund, ndjekja e heshtur e përmbajtjeve nuk është automatikisht e dëmshme. Gjithçka varet nga ajo që shohim, mënyra si e interpretojmë dhe sa hapësirë i japim krahasimit me të tjerët.