Adrien Brody rrëfen jetën në izolim: “Kaloj gjashtë ditë në vetmi për t’u përqendruar te roli”
Adrien Brody ka habitur fansat me një rrëfim të sinqertë për jetën e tij të izoluar në New York, duke zbuluar se kalon shumicën e javës i vetëm për t’iu përkushtuar plotësisht rolit të tij të ri në teatër.
Aktori fitues i çmimit Oscar, i njohur për përkushtimin ekstrem ndaj personazheve që interpreton, tregoi në një intervistë për Wall Street Journal se aktualisht jeton një rutinë krejt ndryshe nga ritmi energjik i qytetit të famshëm amerikan.
“Kaloj gjashtë ditë të javës në vetmi,” u shpreh Brody, duke shpjeguar se izolimi e ndihmon të ruajë fokusin emocional dhe psikologjik për rolin e tij në Broadway.
Aktori 53-vjeçar po debuton aktualisht në skenën e Broadway me shfaqjen “The Fear of 13”, ku interpreton Nick Yarris, një burrë që kaloi rreth 20 vite në burgun e të dënuarve me vdekje përpara se të shpallej i pafajshëm pas analizave të ADN-së.
Brody zbuloi se rutina e tij është intensive dhe shpesh kalon mbi 11 orë në teatër çdo ditë.
“Është e vështirë të çlodhesh,” tha ai, duke pranuar se puna dhe ngarkesa emocionale ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tij personale.
Historia e shfaqjes përfshin edhe lidhjen emocionale të Nick Yarris me një avokate vullnetare, rol që interpretohet nga aktorja Tessa Thompson.
Një nga momentet më prekëse për Brody është fakti që vetë Nick Yarris ndjek shpesh shfaqjet nga publiku.
“Nick është dikush që doli nga ferri përmes librave, tregimeve dhe dëshirës për një jetë më të mirë,” u shpreh aktori.
Adrien Brody tha se ky projekt i ri po i sjell emocione dhe zbulime personale që nuk i kishte përjetuar më parë në karrierën e tij.
“Edhe në këtë moshë, po zbuloj gjëra të reja për veten time,” përfundoi ai.
Burimi;https://www.wsj.com/arts-culture/adrien-brody-broadway-the-fear-of-13-interview-2026
Foto;https://www.instagram.com/adrienbrody/?hl=en