“Michael” thyen rekordin e “Oppenheimer”, bëhet filmi biografik me fitimet më të larta në histori
Filmi “Michael”, i bazuar në jetën e legjendës së muzikës Michael Jackson, ka hyrë në histori si filmi biografik me arkëtimet më të mëdha të të gjitha kohërave.
Në fundjavën e tij të dhjetë në kinematë botërore, produksioni i Lionsgate ka arritur të grumbullojë 977.4 milionë dollarë në box office global, duke lënë pas “Oppenheimer”, i cili e mbylli rrugëtimin e tij me 975.8 milionë dollarë.
Filmi, me regji të Antoine Fuqua, shpërndahet ndërkombëtarisht nga Universal Pictures, me përjashtim të Japonisë dhe Rusisë. Sipas Deadline, suksesi i “Oppenheimer” ishte nxitur edhe nga triumfi në Oscar, ku fitoi shtatë çmime, përfshirë “Filmin më të Mirë” dhe “Regjinë më të Mirë” për Christopher Nolan, si edhe nga dalja e tij në Japoni në mars 2024.
Ndërkohë, “Michael”, që pati premierën në muajin prill, ka arkëtuar deri tani 370.2 milionë dollarë në tregun amerikan dhe 607.2 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare.
Pritshmëritë janë që filmi të kalojë shumë shpejt shifrën simbolike të 1 miliard dollarëve në arkëtimet globale. Nëse e arrin këtë, ai do të bëhet filmi i dytë që e realizon këtë sukses gjatë këtij viti, pas “Super Mario Galaxy Movie”.
Në rolin e Michael Jackson interpreton nipi i tij, Jaafar Jackson, ndërsa projekti konsiderohet një nga biografitë më të suksesshme të viteve të fundit.
Ky rekord vjen vetëm pak javë pasi “Michael” kaloi edhe “Bohemian Rhapsody” (911 milionë dollarë), duke u shpallur filmi biografik muzikor me fitimet më të larta në histori. Të dy filmat kanë si producent Graham King, i cili qëndron pas dy prej biografive më të suksesshme në box office.