Këngëtari britanik Sam Smith ka konfirmuar fejesën me stilistin e njohur të modës Christian Cowan, duke i dhënë fund spekulimeve që prej kohësh qarkullonin për marrëdhënien e tyre.
Lajmi është bërë publik gjatë një interviste të artistit për “The New York Times”, ku Smith ka folur jo vetëm për jetën personale, por edhe për projektin e ri muzikor që pritet të publikohet së shpejti.
Fejesa e çiftit vjen pak javë përpara publikimit të albumit të pestë në studio të Sam Smith, “Hazel Eyes”. Titulli i albumit është frymëzuar nga ngjyra e syve të Christian Cowan, duke e bërë projektin një nga më personalët në karrierën e këngëtarit.
Artisti ka zbuluar gjithashtu se kënga hapëse e albumit, “Everlasting Love”, kishte filluar të shkruhej një natë para takimit të tyre të parë. Sipas Smith, ndryshe nga albumet e mëparshme, këngët e reja flasin për një dashuri të ndërsjellë, të qetë dhe të lumtur.
Sam Smith dhe Christian Cowan u panë për herë të parë së bashku në publik në fund të vitit 2022. Lidhjen e tyre e konfirmuan zyrtarisht në Met Gala 2024, ku u shfaqën për herë të parë së bashku në tapetin e kuq.
Çifti ishte i pranishëm edhe në edicionin e këtij viti të Met Gala, ku Sam Smith u shfaq me veshje të krijuara nga vetë Christian Cowan.
Pavarësisht se është një nga artistët më të njohur të muzikës pop, Sam Smith ka deklaruar shpesh se preferon ta mbajë jetën private larg vëmendjes së tepërt të publikut. Megjithatë, konfirmimi i fejesës ka sjellë reagime të shumta urimi nga fansat dhe ndjekësit e çiftit.
Burimi;https://www.instagram.com/samsmith
Foto; https://www.instagram.com/samsmith